probleme me policine gjermane

Marre nga Portali Skenderbeu.info

(skenderbeu.info) -“Konvertimi i lejes së drejtimit në Gjermani/ Inxhinier Nezha” -Të zhvendosesh në një vend të ri për të jetuar, përpos lehtësirave sociale që të ofrohen janë edhe disa çështje burokratike për tu ndjekur, pa të cilat nuk mund të quhesh plotësisht i integruar.  “patenta ne gjermani ”

Përpos disa kërkesave bazike, si njohja e gjuhës për të komunikuar, puna për të qenë në gjendje të paguash taksat dhe për të mbajtur vetën, leja e drejtimit të mjetit është një nga domosdoshmëritë kryesore për të kryer aktivitetet e jetës së përditshme.

A mund të ngasësh makinën në një vend të huaj me leje drejtimi shqiptare? Si kryhet konvertimi i lejes së drejtimit dhe se cilat janë procedurat që duhet të ndiqen? Skënderbeu.info ka zhvilluar një intervistë me themeluesin e platformës online “E-Shqiponja” që i vjen në ndihmë të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Gjermani, duke i ndihmuar, këshilluar dhe kryer procedurat për çështje të ndryshme të jetës, në mënyrë që të jenë më të integruar dhe të mos ndjehen të huaj në vendin mirëpritës.

Në këtë interviste ekskluzive inxhinier Nezha shpjegon në mënyrë shteruese procedurën e konvertimit të lejes së drejtimit shqiptare në atë Gjermane.

Inxhinier Nezha, themeluesi i platformës “E-Shqiponja”, ka kryer studimet e larta në Universitetin Politeknik të Tiranës. Me përfundimin e studimeve, si shumë shqiptarë ai u zhvendos në Gjermani. Me tu zhvendosur ai filloi të përballej me sfidat e para të sistemit gjerman, sigurisht edhe me burokracitë, si në çdo vend të botës. Në këtë mënyrë i lindi ideja për të krijuar një platformë për të menaxhuar rrjedhën e informacionit të kualifikuar për të gjithë ata që nuk kanë kohë fizike, nuk dinë gjuhën vendase, ose për orientim dhe konsulencë në procedurat ligjore që duhet të ndiqen. Tashmë kjo është platforma kryesore që i vjen në ndihmë komunitetit shqiptarë në çdo land të Gjermanisë.

Skënderbeu.info: Sa e vështirë është për një shofer shqiptarë të ambientohet me rrugët e Gjermanisë?

Ing. Nezha: Deri para disa muajsh shqiptarëve iu duhej ose të zhvillonin kursin e lejes së drejtimit të automjetit nga e para ose të prisnin për kalimin e projekt-ligjit, që ka pak kohë që ka kaluar për miratim për konvertimin e kësaj lejeje. Shoferët shqiptarë ia dalin mbanë të ambientohen shumë shpejt. Ka vetëm disa ndryshime të vogla si shenjat e sinjalistikës së trenit dhe tramit që këtu mësohen në autoshkollë, ndërsa tek ne në Shqipëri nuk janë të njohura. Nuk ka ndryshme drastike që të detyrojnë ta përsërisësh kursin, por që në rrugët gjermane kujdesi është maksimal nga ana e shoferëve. Tashmë, në kohën dixhitale, me atë të sistemit GPS mund të udhëtojmë kudo pa qenë nevoja që të kemi dikë të cilin e ka bërë më përpara një rrugë të caktuar.

 

Skënderbeu.info: Sa kohë mund të qëndroje një shtetas shqiptar pa kryer konvertimin e lejes së drejtimit në Gjermani?

Ing. Nezha: Për sa kohë që je turist, i ftuar nga një familjar ose nuk je i pajisur me leje qëndrimi gjermane, nuk të lind nevoja e konvertimit të lejes së drejtimit, pra deri në tre muaj. E njëjta gjë vlen edhe për një shtetas gjerman, i cili udhëton drejt Shqipërisë. Në harkun kohor të 3-6 muajve për të qëndruar në Gjermani duhet të kryesh procedurat përkatëse, një nga këto është edhe konvertimi i lejes së drejtimit për automjetet. Nëse një shtetas shqiptar është duke ndjekur procedurën dhe/ose është pajisur me leje qëndrimi ai është në gjendje të ngasë makinën deri në 6 muaj. Mbas 6 muajsh ai duhet të fillojë të kryejë procedurën e konvertimit. Konvertimi kryhet shumë lehtësisht por nëse nuk kryhet kjo procedurë mund të gjobitesh deri në 3 mijë euro.

 

Skënderbeu.info: Ku duhet të drejtohesh për të kryer aplikimin e konvertimit dhe sa zgjat ky proces?

Ing. Nezha: Për të realizuar konvertimin e lejes së drejtimit shqiptare në atë gjermane është shumë e thjeshtë: Këtu në Gjermani kemi atë që quhet “zyra e patentës”. Një shtetas shqiptar që ka marrë patentën shqiptare minimumi një vit përpara se të vinte në Gjermani, shumë thjeshtë, vetëm duke e përkthyer patentën në gjuhën gjermane (tek noteri), ai paraqitet në ambientet e kësaj zyre, kryen aplikimin dhe shteti gjerman brenda tre javësh i kthen përgjigje për aprovimin ose jo. Kjo procedurë është shumë praktike dhe ka shumë pak burokraci. Zyra e patentës në Gjermani e kryen vetë verifikimin e vlefshmërisë, duke kontaktuar me drejtorinë e patentave në Shqipëri. Aplikuesi shqiptar nuk duhet të shqetësohet për të plotësuar një mori dokumentesh.

E vetmja këshillë që kam për aplikuesit shqiptarë është se pas tre javësh duhet të kontaktojnë

këtë zyrë pasi, për shkak të mbingarkesës në punë, mund të mos njoftohen me email apo me telefon. Ka pasur shumë raste kur konvertimi ishte kryer por patenta nuk ishte tërhequr në kohën e duhur për shkak të mos-informimit nga zyra gjermane në kohën e duhur.

Skënderbeu.info: A janë shtetasit shqiptar burim aksidenti në Gjermani?
Ing. Nezha: Fakti që ke kryer autoshkollën në Shqipëri nuk është tregues për aksidentet. Si të gjithë shoferët edhe shqiptarët janë të përfshirë në aksidente, por janë disa raste të veçuara që nuk kanë lidhje me shtetin e origjinës. Shqiptarëve iu njihet vjetërsia si shofer dhe sigurimet që kanë. Në këtë pikë janë mjaft të integruar.

Skënderbeu.info: A ndryshon rregullorja e qarkullimit rrugor gjermane nga ajo shqiptare?

Ing. Nezha: Kur bëhet kursi i autoshkollës në fillim ndiqet teoria dhe më pas praktika, njësoj si në Shqipëri. Ka një minimum të caktuar orësh teorike që duhet të ndjekësh dhe më pas një minimum të caktuar orësh praktike. E veçantë në kursin e praktikës është se, ndryshe me sa ndodh në Shqipëri, këtu je i detyruar të bësh një guidë brenda në qytet, më pas një guidë tjetër në autostradë dhe më pas një guidë natën, në shoqërinë e instruktorit. Pasi i kryen të gjitha këto me sukses, fiton të drejtën për të kryer provimin e praktikës. Një tjetër lehtësi që i vjen në ndihmë emigrantëve nga të gjitha kombësitë është se mund të japësh provimin edhe në gjuhë të tjera përveç gjuhës gjermane (në rast të mos njohjes së gjuhës), si në gjuhën angleze, italiane etj për provimin e teorisë. Fatkeqësisht gjuha shqipe nuk është ende në sistemin e gjuhëve opsionale.

 

Skënderbeu.info: Si është sjellja e shoferëve shqiptarë kundrejt policëve gjermanë?

Ing. Nezha: Fatkeqësisht shumë shqiptarë ende nuk kanë njohje të mirë të gjuhës gjermane dhe, në rastet kur ndalohen nga policia, e kanë të vështirë të komunikojnë më tepër se komunikimin bazik me policët për shkeljen e kryer. Realisht në rrugët gjermane zor se gjen policë por ka kamera kudo, që të filmojnë dhe të fotografojnë dhe të sjellin gjobën për shkeljen që ke kryer me anë të postës në adresën e banimit. Emigrantët shqiptarë, kryesisht ata pa dokumente, i pranojnë të gjitha ankesat e policisë, por ka pasur raste kur provat e policisë nuk kanë qenë të mjaftueshme për të marrë një gjobë. Në këto raste është mirë që edhe pala shqiptare të ankohet. Deri në 14 ditë pas ardhjes së zarfit në banesë ke mundësi të ankohesh. Të korruptosh policinë është shumë e vështirë, për shkak të mungesës së oficerëve në rrugë pra krejt e kundërta nga realiteti shqiptar ku çdo 5 km gjen një patrullë policie.

Skënderbeu.info: Sa i ka ndihmuar E-shqiponja emigrantët shqiptarë në integrimin e tyre, dhe konkretisht konvertimin e lejes së drejtimit?

Ing. Nezha: Ka pasur shumë raste kur policia gjermane ka marrë një vendim të padrejtë dhe ne, me anë të platformës tonë, kemi kryer të gjitha verifikimet dhe gjoba e paguar nga shtetasi shqiptar është rimbursuar plotësisht. Kemi pasur dhe disa raste kur polici nuk e ka kthyer mbrapsht lejen e drejtimit shqiptare si dokument fizik dhe ne kemi kryer të gjitha verifikimet dhe kemi arritur ta marrim nga zyrat e policisë këtë dokument pasi asnjë polic nuk ka të drejtë ta sekuestrojë për aq kohë sa shtetasi shqiptar nuk është në procedurë aplikimi të dokumenteve gjermane.

Për më tepër për çdo aplikim, këshillim dhe orientim mund të drejtoheni të E-Shqiponja, stafi i kualifikuar i së cilës ju vjen në ndihmë për çdo problem apo paqartësi.

 

www.skenderbeu.info

Leave A Comment

e-shqiponja

e-Shqiponja është krijuar për t’u dhënë përvojën më të mirë në shërbimet që ne ofrojme , me një dizajn UX/UI unik.

60311 Frankfurt am Main
(Hen - Pre)
(09am - 06 pm)